Rekomandime për masat në nivel lokal

1. Gjelbërimi

Gjelbërimi urban dhe të ashtuquajturat pyjet urbane janë një nga pastruesit më të efektshëm të ajrit, duke pasur parasysh se ato e lidhin dyoksidin e karbonit dhe krijojnë oksigjen në procesin e fotosintezës. Një pemë e rritur prodhon çdo vit oksigjen të mjaftueshëm për një familje prej katër anëtarësh, ndërsa e robëron dyoksidin e karbonit. Për rrjedhojë, lufta për çdo pjesë të gjelbërimit është një luftë kundër ndotjes. Krijimi dhe mirëmbajtja e rregullt e bazave të të dhënave siç është Kadastra e Gjelbër, ku kemi një pasqyrë dhe situatë të çdo gjelbërimi, është vendimtare në luftën për ruajtjen e gjelbërimit. A e dini se pemët halore janë robëruesit më efektivë të grimcave PM2.5?

Prandaj rekomandimet janë:

•        Pyllëzimi me pyje halore, pyje urbane dhe parqe

•        Krijimi i korridoreve të gjelbra – vija pemësh përgjatë rrugëve kryesore me komunikacion dhe përreth objekteve industriale

•        Ndërtimi i gardhit të gjelbër në rrethojat ekzistuese të institucioneve publike, veçanërisht shkollave dhe çerdheve për fëmijë.

2. Industria

Në disa qytete më shumë e në disa më pak, industria është ndotësi më i madh i ajrit. Ekzistojnë dy lloje industrish, industria e madhe (me leje të integruar A) dhe industritë më të vogla (me leje të integruar B). Industritë e mëdha janë nën juridiksionin e pushtetit qendror, gjegjësisht Inspektorati Shtetëror i Mjedisit Jetësor i kryen inspektimet, ndërsa komuna/qyteti është përgjegjës për industritë më të vogla.

Rekomandimet në nivel lokal janë:

– ngritja e një hiper-rrjeti lokal të stacioneve matëse të ndotjes së ajrit të vendosur në mënyrë strategjike – me prioritet në pjesët e njësisë së vetëqeverisjes lokale ku nuk ka stacione matëse dhe është e detyrueshme të bëhet një unazë rreth objekteve industriale. Këto të dhëna do ta eliminojnë hapësirën e manovrimit për falsifikimin e të dhënave nga objektet industriale

3. Transporti

Edhe pse transporti nuk është fajtori më i madh, ai është gjithashtu shkaktar dhe me praktika të mira mund të përmirësohet cilësia e jetës së qytetarëve, jo vetëm duke përmirësuar cilësinë e ajrit, por edhe zhurmën, sigurinë dhe shprehitë e shëndetshme.

Prandaj, rekomandimet për NJVL-të janë:

•        Optimizimi dhe përmirësimi i transportit publik

•        Ndërrimi i autobusëve të vjetër

•        Aktivizimi i sistemit Park&Ride (lokacione të caktuara ku mund të arrish me makinë/transport publik, por prej aty mund të marrësh me qira një biçikletë)

•        Përmirësimi i rrjetit të shtigjeve për biçikleta në komunë

•        Lidhja e zonave rurale dhe urbane me shtigje të biçikletave

•        Mbyllja e rrugëve të caktuara dhe shpallja e tyre zona këmbësore

4. Ngrohja

Ngrohja si burimi kryesor i ndotjes së ajrit duhet të konsiderohet seriozisht dhe të merren masat e duhura në aspekt strategjik në afat të shkurtër dhe të gjatë. Sigurisht që nuk duhet neglizhuar as varfëria energjetike, andaj rekomandimet janë:

•     subvencionet për instalimin e fasadave me efikasitet energjetik, sistemeve fotovoltaike, paneleve diellore dhe kondicionerëve inverter duhet të kenë edhe një komponent social.

•        lidhja e sa më shumë familjeve me ngrohjen qendrore

•        zëvendësimi i koftorëve (të vjetër) joekologjikë me koftorë më efikas me dru

•      ofrimi i druve të zjarrit ekskluzivisht të certifikuar me një përqindje të ulët lagështie (që ndot tre herë më pak se drutë tjerë)

5. Urbanizmi

Planifikimi urban dhe hapësinor ka një rol të madh në shkallën e ndotjes së ajrit, më së shumti për shkak të pengimit fizik të qarkullimit të ajrit, dhe natyrisht edhe për shkak të aktiviteteve të pashmangshme sociale dhe ekonomike që rriten në përpjesëtim të drejtë me shtimin e popullsisë. Planet urbane miratohen në nivel lokal me përfshirje të detyrueshme të publikut — prandaj është e nevojshme të përdoret çdo mundësi për të siguruar një planifikim urban të gjelbër dhe njerëzor të bazuar në parimet e zhvillimit të qëndrueshëm, të zgjuar dhe gjithëpërfshirës të komuniteteve.

Në këtë drejtim, rekomandimet janë:

•        përfshirja e sa më shumë qytetarëve në anketat publike, prezantimet dhe debatet publike në mënyrë që ata të japin komente, vërejtje, të shprehin pakënaqësi dhe/ose mospajtim me atë që është planifikuar.

•        Krijimi i një “Pasaporte të komunës/qytetit” për të treguar vizualisht nivelin aktual të ndërtimit në terren, nëse ai ndërtim është në përputhje me parimet e planifikimit urban human ose jo, nëse komuniteti mund t’i rezistojë urbanizimit shtesë ose jo.

6. Mbeturinat

Me mbi 3.000 deponi të vogla dhe të mëdha në të gjithë vendin, shumica e tyre të vendosura pranë qyteteve të mëdha, e shumë prej tyre edhe përreth kryeqytetit, ky sektor kontribuon ndjeshëm në emetimet e substancave ndotëse.  Rekomandimet kryesore në këtë sektor janë:

•        Ndërtimi i stacioneve grumbulluese (vende ku çdokush mund të hedhë çdo lloj mbeturine)

•        Edukimi për parandalimin, reduktimin dhe përzgjedhjen e mbeturinave

•        Pastrimi i deponive ilegale për të parandaluar djegien spontane

•        Inspektimi i shtuar për hedhjen e paligjshme të mbeturinave