Qytetet neutrale klimatike të së ardhmes janë qytete të solidaritetit, qytete të rritjes së qëndrueshme dhe zhvillimit gjithëpërfshirës. Në to i kemi të gjitha përmbajtjet publike (kopsht fëmijësh, shkollë, treg, park urban, objekte kulturore, kompostues urban, kënd lojërash, park për kafshët shtëpiake, spital etj.) që janë larg më së shumti 15 minuta në këmbë ose me biçikletë nga shtëpia jonë. Në to, ndërtesat në të cilat jetojmë janë tërësisht efikase në aspekt të energjisë, të rrethuara nga shumë gjelbërim. Energjia që e përdorim vjen nga një sistem i integruar i burimeve të rinovueshme – kryesisht nga dielli, e një pjesë e saj vjen nga biogazi që e marrim nga përpunimi i mbeturinave organike. Në qytetet neutrale ndaj klimës të së ardhmes, ne udhëtojmë kryesisht me biçikleta dhe transport publik elektrik. Ushqimi që e hamë prodhohet në komunitetin tonë lokal, kurse tokën e plehërojmë vetëm me komposto organike që e marrim nga përpunimi i mbeturinave organike. Ne i mbrojmë ujërat tona, kështu që ujërat e zeza nuk i drejtojmë në to, por në impiantet e biogazit. Ne e mbledhim ujin e shiut, e filtrojmë dhe e përdorim si ujë teknik për ta reduktuar përdorimin e ujit të pijshëm, i cili është i kufizuar. Ne kemi punishte për përpunimin e mbeturinave plastike dhe mbeturinave të ndërtimit ku krijojmë lëndë të para për jetën e përditshme dhe ndërtimtarinë. Të gjitha produktet që i përdorim në shtëpi dhe në punë riciklohen ose ripërdoren. Nuk ndërtojmë së tepërmi, nuk shpenzojmë së tepërmi. Jetojmë normalisht, në mënyrë të shëndetshme dhe të gëzuar.