Studime për ndotjen e ajrit Qyteti i Shkupit

Të gjitha analizat dhe gjetjet e deritanishme tregojnë se ngrohja është ndotësi më i madh i ajrit edhe në luginën e Shkupit. Një anketë e kryer nga UNDP-ja tregon se vetëm 21% e familjeve janë të lidhura me sistemet e ngrohjes qendrore, ndërsa rreth 45% e familjeve i ngrohin shtëpitë e tyre me dru zjarri. Djegia e druve të zjarrit është një nga mënyrat më ndotëse të ngrohjes. Përveç drurit, familjet e varfra përdorin edhe materiale të tjera ngrohëse edhe më të dëmshme që mund të shkaktojnë sëmundje të frymëmarrjes. 

Përveç ngrohjes, nuk duhen neglizhuar dhe nënvlerësuar edhe burimet e ndotjes nga sektorë të tjerë. Deponitë e mbeturinave dhe deponitë ilegale, si dhe djegia e tyre, pastaj objektet industriale, zgjerimi i ndërtimit dhe mosrespektimi i rregullave të ndërtimit, sipërfaqet e shumta të parregulluara nga të cilat ngrihet pluhuri, si dhe trafiku, e plotësojnë kompleksitetin e sfidës dhe i diversifikojnë shkaqet e ndotjes, dhe e ndërlikojnë procesin e zgjidhjes së tyre.

Sipas analizës së burimeve të ndotjes së ajrit të bërë nga UGD dhe Farmahem, ndotja me grimcat PM10 është më pak si rezultat i komunikacionit, që do të thotë se pjesëmarrja e komunikacionit në ndotjen PM10 është aq e vogël sa edhe nëse i gjithë komunikacioni ndalet plotësisht, nuk do të ketë ndikim të rëndësishëm në përqendrimin e grimcave PM10.

Të njëjtat njohuri na i jep edhe “Studimi mbi ndikimin e Kovid19 në cilësinë e ajrit në Shkup”, i cili thotë se: nuk mund të vendoset një varësi e ngushtë midis ndotjes së ajrit dhe aktiviteteve të reduktuara të komunikacionit. Për sa i përket pjesëmarrjes së komunikacionit në përqendrimin e grimcave PM10 dhe PM2.5, po ashtu nuk mund të konstatohet një varësi e ngushtë, veçanërisht nëse i shikojmë ditët e karantinës së plotë, kur aktivitetet e komunikacionit u reduktuan në minimum, ndërsa përqendrimet e PM10 u rritën në një periudhë të caktuar të ditës, madje edhe e tejkaluan vlerën kufitare 24-orëshe. Reduktimet e NO2 dhe CO gjatë periudhës së karantinës janë të konsiderueshme dhe tregojnë qartë ndikimin e aktiviteteve të reduktuara të komunikacionit mbi emetimet në ajër, gjegjësisht ndotjen.

E gjithë kjo çon në përfundimin se komunikacioni ndikon në cilësinë e ajrit kryesisht në nivel lokal, në zonën e ekspozuar ndaj komunikacionit intensiv, ndërsa ndikimi në përqendrimet në prapavijë është i vogël, veçanërisht gjatë muajve të vjeshtës dhe të dimrit kur ndodhin episode të ndotjes së lartë. Në këto periudha diferencat midis përqendrimeve në prapavijë dhe përqendrimeve në zonat e ekspozuara ndaj komunikacionit pothuajse nuk ekzistojnë, gjë që tregon qartë se tendencat e ndryshimit dhe nivelet e ndotjes lidhen me faktorë të tjerë.