Analiza e vetme deri tani objektive ndërkombëtare për burimet e ndotjes së ajrit në Maqedoni është Raporti i përbashkët i auditimit për cilësinë e ajrit i EUROSAI – Organizatës Evropiane të Institucioneve Supreme të Auditimit. Në të thuhet se industria është ndotësi më i madh në vend.
Në analizë thuhet se në rastin e Maqedonisë, ku politika e qeverisë për cilësinë e ajrit nuk është zbatuar në mënyrë adekuate në nivel kombëtar apo lokal, Institucioni Suprem i Auditimit (ISA) arrin në përfundimin se “Plani Kombëtar për Mbrojtjen e Ajrit të Ambientit është kompleks dhe mbulon fusha të ndryshme, ndërsa masat e parashikuara në të duhet të zbatohen nga institucionet qendrore dhe lokale, por nuk ekziston një sistem për monitorimin e zbatimit të secilës masë. Plani kombëtar nuk përmban tregues për të matur efektivitetin e zbatimit të politikave, gjë që e bën të vështirë monitorimin e masave për arritjen e objektivave dhe politikave të qeverisë për të luftuar ndotjen e ajrit.
Për shkak të mungesës së kapaciteteve administrative, vetëm autoritetet lokale në Tetovë, Manastir dhe Shkup përgatitën plane veprimi afatshkurtra për mbrojtjen e ajrit të ambientit. Në planet lokale nuk janë përcaktuar afate të sakta për zbatimin e çdo mase, as nuk e potencojnë nivelin e kërkuar të financimit, burimet e financave, nuk ka tregues për matjen e efektivitetit dhe nuk kanë përcaktuar një organ që është përgjegjës për monitorimin dhe vlerësimin”.
Gjetjet nga auditimet kombëtare tregojnë se sistemet e monitorimit në të paktën nëntë vende, p.sh. Shqipëri, Bullgari, Gjeorgji, Izrael, Kosovë, Maqedonia, Moldavi, Rumani dhe Sllovaki, nuk gjenerojnë të dhëna të plota dhe/ose të besueshme.