Parimi themelor i Ligjit për Mjedisin Jetësor është parimi i pjesëmarrjes së publikut dhe qasja në informata, që është shprehje e shtyllës së parë të Konventës së Arhusit. Në përputhje me këtë parim, organet e pushtetit shtetëor dhe organet e komunës, të Qytetit të Shkupit dhe të komunave të qytetit të Shkupit janë të obliguara që t’i sigurojnë të gjitha masat e nevojshme dhe të përshkruajnë procedura që sigurojnë ushtrimin e të drejtës së qasjes në informacion dhe pjesëmarrjen e publikut në marrjen e vendimeve që lidhen me gjendjen e mjedisit jetësor, si dhe të sigurojnë deklarim të publikut në procedurën e marrjes së këtyre vendimeve.
Konventa e Arhusit parashikon parashikon dy mënyra për qasjen në informata për mjedisin jetësor:
• ofrimi i informacionit në bazë të një kërkese të paraqitur nga një person fizik ose juridik – informimi pasiv dhe
• ofrimi i informacionit në baza të rregullta (pa i kërkuar askush ato informata) – informim aktiv.
Qasja e lirë në informata publike në RMV
Në Maqedoninë e Veriut, qasja në informata për mjedisin jetësor është e rregulluar me Ligjin për Mjedisin Jetësor dhe Ligjin për Qasje të Lirë në Informatat me Karakter Publik. Gjithashtu, edhe ligjet që e rregullojnë mbrojtjen e natyrës dhe burimeve natyrore përmbajnë dispozita që e rregullojnë informimin dhe pjesëmarrjen e publikut.
Mënyrat e informimit
1.1 Organizimi i konsultimeve me të rinjtë në komunë dhe mbledhjet informuese – informimi aktiv
Roli i anëtarëve të KRL-së është t’i përfaqësojnë nevojat e të rinjve para komunës, por edhe ta sjellin punën e komunës më afër të rinjve në vendin ku ata jetojnë. Me qëllim që të rritet besimi, hapja dhe përkrahja, anëtarët e KRL-së duhet rregullisht të komunikojnë dhe të konsultohen me të rinjtë nga fusha e mjedisit jetësor.
1.2 Procedura për mbledhjen e informatave me karakter publik në fushën e mjedisit jetësor – informimi pasiv
Procesi i qasjes në informata për mjedisin jetësor fillon me parashtrimin e një kërkese (në këtë link mund të gjeni një shembull të një kërkese për qasje në informatat me karakter publik. që mund ta përdorni për të marrë informata).
Me informata nga fusha e mjedisit jetësor nënkuptojmë çdo lloj informacioni në formë të shkruar, vizuale, elektronike ose në formë tjetër materiale në përputhje me Ligjin për Mjedisin Jetësor. Ky ligj përcakton se kush mund të kërkojë informacion nga mjedisi jetësor dhe çfarë informacioni kërkohet.
Pra, në Ligj thuhet se çdokush ka të drejtë, pa pasur nevojë ta dëshmojë interesin e tij, nga organet dhe personat juridikë dhe fizikë të përcaktuar me këtë ligj të kërkojë informacione dhe të dhëna të vërtetuara në lidhje me mjedisin jetësor. Çdo i ri, duke i përfshirë edhe këshillat rinore, ka të drejtë të kërkojë informata me karakter publik në përputhje me këto dispozita.
E drejta për qasje informatat rreth mjedisit jetësor ushtrohet në lidhje me të gjitha informatat në formë të shkruar, vizuale, audio, elektronike ose në çdo formë tjetër që është e disponueshme, e të cilat i referohen:
1. Gjendjes së mediave dhe fushave të mjedisit jetësor, si p.sh. ajri dhe atmosfera, uji, toka, trualli, diversiteti biologjik dhe rajonal, duke i përfshirë edhe organizmat e modifikuar gjenetikisht, si dhe ndërveprimin reciprok të këtyre elementeve.
2. Faktorët, të tilla si lënda, energjia, lëndët djegëse bërthamore dhe energjia bërthamore, zhurma, rrezatimi ose mbeturinat, duke i përfshirë edhe mbeturinat radioaktive, emetimet dhe format e tjera të emetimeve në mjedisin jetësor, të cilat ndikojnë ose mund të ndikojnë në mediat dhe fushat e mjedisit jetësor, si dhe në jetën dhe shëndetin e njeriut.
3. Masat, duke i përfshirë edhe ato administrative, të tilla si politika, legjislacioni, planet, programet, marrëveshjet në lidhje me çështjet që kanë të bëjnë me mjedisin jetësor, si dhe aktivitetet që mund të ndikojnë drejtpërdrejt ose tërthorazi në mediat, fushat dhe faktorët e mjedisit jetësor, si dhe masat ose aktivitetet për mbrojtjen e këtyre elementeve.
4. Raportet për zbatimin e ligjeve dhe dispozitave dhe akteve të tjera që kanë të bëjnë me mjedisin jetësor.
5. Analiza e shpenzimeve dhe përfitimeve dhe analizat dhe supozimet e tjera financiare dhe ekonomike që përdoren në kuadër të masave dhe aktiviteteve të ndërmarra për mbrojtjen dhe përmirësimin e mjedisit jetësor.
6. Kushtet që lidhen me jetën, shëndetin dhe sigurinë e njerëzve, siguria e produkteve ushqimore, duke përfshirë edhe ndikimin e ndotjes në zinxhirin ushqimor, kushtet e jetesës së njerëzve, vendet me rëndësi për kulturën dhe objektet e ndërtuara, në masën që ato ndikohen ose mund të ndikohen nga mediat dhe fushat e mjedisit jetësor ose nëpërmjet ndikimeve të atyre mediave dhe fushave në cilëndo nga gjendjet e elementeve dhe faktorëve të renditur.
Kjo do të thotë se nga poseduesit e informatave (shih linkun) secili prej nesh mund t’i kërkojë informatat e mësipërme. Është e rëndësishme të përcaktohet se cili organ kompetent nga lista në linkun e poseduesve të informatave i ka informatat dhe kërkesa t’i parashtrohet atij.
Kërkesa për qasje në informata me karakter publik plotësohet në atë mënyrë që në të shënohen informatat e mëposhtme:
Poseduesi i informacionit, emri dhe mbiemri personal i kërkuesit të informacionit, të dhënat për përfaqësuesin e mundshëm ose personin e autorizuar, firmën ose personin juridik, përshkrimin e informacionit me të cilin kërkuesi dëshiron të njihet, në çfarë mënyre dëshiron të njihet me përmbajtjen e informacionit të kërkuar dhe në çfarë mënyre t’i dorëzohet informacioni i kërkuar.
Kërkesa mund të parashtrohet edhe në një fletë të thjeshtë, por kërkuesi është i obliguar të theksojë se bëhet fjalë për kërkesë në bazë të Ligjit për Qasje të Lirë në Informatat me Karakter Publik. Kërkuesi nuk është i detyruar ta arsyetojë kërkesën. Kjo do të thotë se nuk kemi nevojë të shkruajmë arsyen pse i kërkojmë informatat.
Poseduesi i informacionit është i detyruar t’i përgjigjet kërkesës së kërkuesit menjëherë, dhe jo më vonë se brenda 20 ditëve nga dita e marrjes së kërkesës. Në rast se poseduesi i informacionit duhet të mundësojë qasje të pjesshme në informacion ose për shkak të vëllimit të informacionit të kërkuar i duhet më shumë kohë se afati 20-ditor, afati mund të zgjatet më së shumti deri në 30 ditë nga dita e marrjes së kërkesës. Poseduesi i informacionit për zgjatjen e afatit është i detyruar ta njoftojë menjëherë kërkuesin në formë elektronike, dhe jo më vonë se shtatë ditë nga dita e marrjes së kërkesës.
Nëse poseduesi i informacionit e ka refuzuar ose e ka hedhur poshtë kërkesën, kërkuesi ka të drejtë të ankesës (shih linkun për një shembull të ankesës) brenda 15 ditëve nga dita e marrjes së vendimit deri te Agjencia për Mbrojtjen e të Drejtës për Qasje të Lirë në Informatat me Karakter Publik.
Agjencia vendos për ankesën e kërkuesit brenda 15 ditëve nga dita e marrjes së ankesës. Nëse Agjencia nuk merr vendim brenda afatit për ankesën e kërkuesit kundër vendimit të shkallës së parë, dhe nuk e merr atë brenda shtatë ditëve pas kërkesës së përsëritur, kërkuesi mund të fillojë kontest administrativ para Gjykatës Administrative.Për më tepër, për një kuptim më të lehtë të procedurës, mund ta vizitoni ueb-faqen e Agjencisë dhe t’i shfletoni përmbajtjet edukative të publikuara aty. Në faqen e internetit mund të gjeni informacione edhe rreth kërkesave të parashtruara më parë për qasje në informata, vendime për to dhe të ngjashme, etj. Gjithashtu, mund ta shikoni edhe Udhëzuesin për zbatimin e Konventës për Vetëqeverisjet Lokale ku është shpjeguar me shembuj e drejta për qasje në informatat me karakter publik.