Shembuj nga bota për menaxhimin e suksesshëm të mbeturinave

Edhe pse numri i komuniteteve në botë që janë përballë me sukses me menaxhimin e mbeturinave është i kufizuar, arritjet e tyre janë një frymëzim i fuqishëm dhe dëshmi se një jetë e qëndrueshme është jo vetëm e mundur, por edhe më e levërdishme ekonomikisht.

Elementi i përbashkët që i lidh të gjitha është perceptimi i mbeturinave si një burim, e jo si një material i padobishëm. Qasja është e ndryshme kur bëhet menaxhimi i mbeturinave dhe kur bëhet menaxhimi i burimeve (materialeve). Dallimi thelbësor midis sistemeve të tjera të menaxhimit të mbeturinave dhe konceptit të mbeturinave zero është se kur krijohen produkte të reja nga lëndët e para (dhe jo nga materialet e mbeturinave), tregohet kujdes që ato të kenë veti që janë në përputhje me parimet e ekonomisë rrethore. Krijimi i menduar mirë i produkteve të reja, së bashku me riformulimin dhe racionalizimin e shprehive konsumatore, është ura përmes së cilës do të arrijmë një ekonomi rrethore të suksesshme dhe do të përmbushim qëllimin – shoqëri me zero mbeturina.

Kontarina, Itali

Si shembull i parë i menaxhimit të suksesshëm të mbeturinave, le ta shqyrtojmë rastin e Kontarinës, një ndërmarrje publike për menaxhimin e mbeturinave që u shërben 50 komunave me 554 mijë banorë, dhe ka 645 të punësuar. Për krahasim, Higjiena Komunale Shkup — ndërmarrje publike për menaxhimin e mbeturinave, i shërben mezi 10 komunave me 526 mijë banorë (sipas regjistrimit të fundit të vitit 2021), dhe ka mbi 1.300 të punësuar!

Kontarina shënon një sukses të paprecedentë në fushën e menaxhimit të mbeturinave. 85% e mbeturinave ndahen në vetë amvisëritë (në disa komuna kjo arrin deri në 90%), ndërsa në nivel të BE-së kjo përqindje është 42%. Mbeturinat e pandara janë mesatarisht 53 kg për kokë banori në vit, ndërsa mesatarja në nivel të BE-në është pesë herë më e lartë – 285 kg për kokë banori në vit. Përveç kësaj, çmimi i shërbimit që e paguan një familje nga komunat që i shërben Kontarina është 179 euro në vit, ndërsa në nivel Italie kjo shumë është 246 euro.

Lubjanë, Slloveni

Në vitin 2014, qyteti slloven i Lubjanës u bë kryeqyteti i parë evropian që e miratoi objektivin e BE-së për zero mbeturina. Kjo paraqet një arritje të jashtëzakonshme për selinë e qeverisë sllovene, e cila në fund të shekullit të njëzetë nuk kishte asnjë sistem të veçantë për grumbullimin e mbeturinave. Kjo ndryshoi në vitin 2002 kur qyteti prezantoi një shërbim të veçantë për grumbullimin e letrës, qelqit dhe ambalazhit nëpërmjet kontejnerëve pranë rrugëve. Disa vite më vonë, ajo filloi mbledhjen e mbeturinave të biodegradueshme nga banorët, një masë që duhet të bëhet e detyrueshme në të gjithë Evropën në vitin 2023. Në vitin 2013, Lubjana zbatoi dy politika që ndihmuan në rritjen e ndarjes së mbeturinave: së pari, u siguroi të gjitha familjeve kosha mbeturinash për ambalazh dhe kosha për ndarjen e letrës, ndërsa grumbullimi i mbeturinave të mbetura u përgjysmua – gjë që i inkurajoi banorët që t’i ndajnë mbeturinat e tyre në mënyrë më efikase. Me këtë masë, shkalla e riciklimit në qytet u rrit nga 29,3% në vitin 2008 në 68% në vitin 2019. Kryeqyteti i Sllovenisë tani prodhon vetëm 115 kilogramë mbeturina të përziera për person në vit, ndërsa vetëm qyteti italian i Trevizos është përpara Lubjanës.

San Francisko, SHBA

San Francisko është një kampion i ndarjes së mbeturinave – 80% e mbeturinave të qytetit nuk kanë shkuar në deponi që nga viti 2013. Qëllimi përfundimtar i San Franciskos është të jetë një qytet me zero mbeturina — asnjë mbeturinë të mos shkojë në deponi apo inceneratorë. Si pjesë e këtij programi, në vitin 2009 u futën rregullat sipas të cilave të gjitha bizneset dhe amvisëritë do të ndajnë dhe kompostojnë detyrimisht mbeturinat. San Francisko i shpërblen dhe i gjobit bizneset në bazë të mbeturinave që i hedhin. Ajo miratoi gjithashtu ligjin e parë të kompostimit në vend dhe ndaloi artikujt siç janë qeset plastike dhe polisterolin në arka. Bizneset marrin zbritje për përdorimin e koshave të gjelbër dhe të kaltër të qytetit – për ndarjen dhe kompostimin e mbeturinave – dhe tarifohen në mënyrë shtesë nëse mbeturinat e riciklueshme ose biombeturinat përfundojnë në mbeturinat e përziera komunale.