Sfidat

marrë parasysh ndikimin e tij/saj në të gjitha sferat që i prek.

Diellore

Edhe pse përdorimi i energjisë diellore ka më pak efekte negative, planifikimi joadekuat mund të shkaktojë pasoja të dëmshme. Për shembull, investimi në energjinë diellore nuk duhet të nënkuptojë fokusimin në ferma diellore në tokë pjellore, pasi kjo rrezikon fragmentimin dhe humbjen e habitatit (shkatërrimin e biodiversitetit), si dhe humbjen e tokës bujqësore pjellore – një nga burimet tona më të çmuara.

Është e vërtetë se prodhimi i sasive të mëdha të energjisë kërkon sipërfaqe të mëdha, por kjo nevojë mund të reduktohet duke mbuluar çatitë e ndërtesave me sisteme FV kudo që është e mundur dhe duke e organizuar sistemin energjetik në mënyrë që të gjithë prodhuesit do ta fusin në rrjet energjinë e tepërt elektrike të prodhuar, dhe do ta kthejnë prapa kur të kenë nevojë për shkak të mungesës së prodhimit të vet.

Përveç kësaj, materialet e përdorura për prodhimin e komponentëve, si p.sh. panelet FV dhe teknologjia shoqëruese janë gjithashtu një temë e ndjeshme. Me rritjen e kërkesës për energji diellore, do të rritet edhe kërkesa për litium, bakër, kobalt – materiale të nevojshme për bateritë që përdoren për të ruajtur energjinë e tepërt të prodhuar. Gërmimi i këtyre materialeve ka ndikime serioze mbi mjedisin jetësor dhe shoqëri në tërësi, veçanërisht mbi komunitetet që jetojnë në afërsi të vendeve ku ndodhen minierat. Përveç kësaj, panelet diellore kanë një jetëgjatësi prej afërsisht 30 vitesh, pas së cilës lindin probleme që lidhen me mbeturinat dhe riciklimin.

Hidroenergjia

Ka një numër të madh të arsyeve pse hidroenergjia nuk mund të quhet burim i rinovueshëm. Arsyeja më e madhe pse duhet t’i themi jo hidroenergjisë është se në kohën e një krize klimatike globale që shkakton thatësira afatgjata dhe lloje të tjera të ngjarjeve ekstreme të motit, është jashtëzakonisht e papërgjegjshme të shkatërrohen lumenjtë që janë burimi i vetëm i komuniteteve më të vogla (për ujë të pijshëm dhe kushtet bazë për jetesë, për ujitjen e kulturave bujqësore), si dhe habitatet/strehimoret e botës bimore dhe shtazore. Lajmi i trishtë është se nuk kanë mbetur shumë lumenj të egër, dy të tretat e të cilëve tashmë janë shndërruar në hidrocentrale, dhe ky numër po rritet çdo ditë. Ndërtimi i digave të mëdha e shkatërron gjënë më të rëndësishme për lumin, rrjedhën e tij. Diga gjithashtu e ndryshon strukturën e lumit. Kur rrjedha e lumenjve bllokohet, peshqit nuk mund të arrijnë në vende të tjera, dhe me kalimin e kohës, digat e lumenjve mund të çojnë në një ulje drastike të popullsisë së peshqve. Uji në rezervuar është gjithashtu zakonisht me nivel të ulët në oksigjen të tretur dhe më i ftohtë se uji normal. Kur rezervuari është plot me bimë, pemë, fusha dhe tokë bujqësore, ato lëshojnë gazra serë si dyoksid i karbonit dhe metan në atmosferë dhe përbëjnë 1,3% të emetimeve të përgjithshme vjetore globale të shkaktuara nga njerëzit.

Hidrocentralet jo vetëm që e ndryshojnë shtratin e lumit, por gjithashtu e ndryshojnë edhe gjithë mjedisin, sepse ndërtohen rrugë hyrëse për to dhe struktura të përkohshme. Me faktin që dëmtohet shtrati i lumit, dëmtohet edhe bimësia e bregut të lumit.

Me erë

Shfrytëzimi i erës përbën një kërcënim për faunën, krijon një nivel konstant zhurmash dhe e ndryshon mikroklimën. Energjia e erës shpesh kërkon transmetim sepse në shumë raste turbinat janë të vendosura në një distancë të madhe nga zonat e banuara ku energjia e gjeneruar është në fakt e nevojshme. Prandaj, largpërçuesit janë një pjesë shtesë e infrastrukturës që duhet të ndërtohet që kjo formë e prodhimit të energjisë të jetë e suksesshme. Në Gjermani, për shembull, veçanërisht në fshatra, ka një lëvizje të fortë kundër instalimit të mullinjve me erë sepse e prishin cilësinë e jetës së popullatës lokale.

Gjeotermale

Me energjinë gjeotermale ekziston rreziku nga tërmetet në vendet ku do të ndërtohej termocentrali, prandaj është thelbësore që rezervuarët të menaxhohen me shumë kujdes.

Sistemet e integruara të burimeve të rinovueshme të energjisë

Duke pasur parasysh se mbeturinat janë gjithashtu një problem mjaft i madh për Maqedoninë, dhe sipas të dhënave zyrtare mbi 60% e mbeturinave të përgjithshme janë biombeturina, përcaktimi strategjik i Maqedonisë duhet të jetë investimi në biokompostues komunalë që do të mund të prodhojnë biogaz nga procesi i trajtimit të mbeturinave biologjike. Nga njëra anë do të ulim sasinë e mbeturinave për të paktën 60%, do t’i ulim kostot e hedhjes së mbeturinave për të paktën 60%, do të eliminojmë ndotjen e të gjitha mediave të mjedisit jetësor të shkaktuara nga ato mbeturina, dhe si rrjedhojë do të marrim pleh organik dhe biogaz. Energjia diellore dhe centralet e biogazit duhet të kombinohen në një sistem të integruar të prodhimit të energjisë, në mënyrë që të përcaktohet nëse dhe sa mungon për t’i përmbushur nevojat tona.