Rekomandime për masat në nivel lokal

Pavarësisht nga bindja se nuk mund të bëhet shumë në nivel lokal për të neutralizuar pasojat e krizës klimatike, ndryshimet nisin pikërisht nga komunitetet lokale. Në komunitetet lokale, njerëzit e njohin njëri-tjetrin, i besojnë njëri-tjetrit dhe veprimi i tyre i përbashkët ka një efekt shumë më të madh. Komunitetet lokale janë iniciatorë të fortë të ndryshimeve. Por, duhet theksuar se megjithëse secili prej nesh mund të nxisë ndryshime, suksesi dhe qëndrueshmëria e ndryshimeve varet nga bashkimi në veprim, si dhe nga tërësia, njohuritë, përkushtimi dhe këmbëngulja në kërkimin e këtyre ndryshimeve.

Në vendet me korrupsion të lartë dhe institucione të dobëta si është vendi ynë, për fat të keq, qytetari i thjeshtë duhet t’i marrë gjërat në duart e tij. Kjo do të thotë jo vetëm të kesh njohuri të mëdha për fushën në të cilën vepron, jo vetëm të kesh të dhëna të sakta dhe të verifikuara, jo vetëm të njohësh ligjet dhe të dish saktësisht se cilit institucion t’i drejtohesh dhe kur – por do të thotë edhe organizim në nivel lokal në iniciativa të pavarura, organizata të shoqërisë civile, shoqata, kandidim në zgjedhjet lokale për të ushtruar presion dhe për t’i dëbuar nga institucionet personat që nuk punojnë në shërbim të interesit publik. Paralelisht me vetë-organizimin dhe luftën për të hyrë në institucione, rekomandohet vendosja e kontakteve me Këshillin komunal (të qytetit). Këshillat përbëhen nga persona të zgjedhur në zgjedhjet lokale, të cilët kanë për detyrë ligjore t’i përcjellin në seanca kërkesat e qytetarëve dhe të kërkojnë që ato të shqyrtohen dhe të zbatohen sa më mirë. Këshillat komunalë (të qyteteve) vendosin për ndarjen e buxhetit, gjegjësisht për financat e përbashkëta. Ndarja e mjeteve buxhetore për politika të gjelbra, të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse tregon se komuniteti lokal funksionon siç duhet dhe është rezistent ndaj sfidave moderne.