Planifikimi me pjesëmarrje në qytetin e Shkupit

Meqenëse ky lloj planifikimi me pjesëmarrje mungonte në Qytet, u hap platforma QytetiIm. Ideja ishte që çdo banor i Shkupit të mund të paraqesë propozimin e tij, me kusht që të jetë në përputhje me parimet e gjelbra të zhvillimit të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës dhe të mbrojtjes së kafshëve. Gjatë vitit 2021 para çdo seance të Këshillit të Qytetit të Shkupit janë votuar propozimet e parashtruara nga përdoruesit e regjistruar të platformës. Tre propozimet më të votuara janë prezantuar para Këshillit të Qytetit të Shkupit.

Përndryshe, deri më tani në qytetin e Shkupit janë mbajtur dy forume të tilla buxhetore qytetare nga Iniciativa Qytetare QYTETI I GJELBËR HUMAN, ku për herë të parë në vitin 2022 udhëheqja komunale i pranoi propozimet. Hapi tjetër është të detyrohet Qyteti t’i organizojë dhe t’i mbajë forumet, e jo iniciativat qytetare ta bëjnë këtë, si dhe forumet të përfshihen në Statutin e Qytetit të Shkupit për të mos lejuar që ato të braktisen si praktikë me ndryshimin e ardhshëm të udhëheqjes komunale.

Duhet pasur shumë kujdes që vendimet e miratuara të mos mbeten vetëm në letër – politikanët janë mjaft të suksesshëm në përdorimin e veprimit të tyre sa për sy e faqe për PR. Por, koha e lajmeve për arritje të tipit “u mbajt një takim për forcim të bashkëpunimin” ka kaluar që moti. Lufta e suksesshme kërkon presion të vazhdueshëm ndaj  institucioneve, si nga brenda ashtu edhe nga jashtë. Ofrimi i ndihmës dhe mbështetjes nëse procesi ngec, por edhe aftësia për të vlerësuar kur nëpunësit publikë thjesht i zvarritin punët me justifikime të paarsyeshme. Publikimi i informatave të sakta dhe të verifikuara mund ta mobilizojë komunitetin për të ushtruar presion shtesë. Si mjete për presion të suksesshëm ndaj institucioneve për realizimin e premtimeve të dhëna, mund të përdoren letrat e hapura, dërgimi në grup i letrave me vërejtje të bazuara, parashtresat dhe raportimet në institucionet përkatëse, si dhe protestat jo të dhunshme.

Secili prej nesh ka të drejtë në qytetin e tij. Ka të drejtë të marrë pjesë në formësimin e tij për t’i mundësuar vetes një jetë dinjitoze dhe cilësore. Që të ndodhë kjo, duhet të harrojmë shprehjen “nuk më intereson politika”. Jetët tona varen nga politika. Sa më të informuar të jemi, sa më të përfshirë të jemi në procese – aq më të mëdha janë shanset që një ditë të jetojmë në një shoqëri vërtet të shëndetshme.