Nivelet e pjesëmarrjes së të rinjve

Pjesëmarrja politike

Ky nivel përfshin pjesëmarrjen e të rinjve në punën e institucioneve, si për shembull deputetë që i përkasin kategorisë së të rinjve në Kuvend, ministra/e deri në moshën 29 vjeç, por edhe çdo formë tjetër e pjesëmarrjes politike të të rinjve si ushtrim i të drejtës së votës, aktivizimi në bashkësitë lokale ose aktivizimi për një temë të caktuar (mbrojtja e mjedisit jetësor, barazia gjinore, arsimi seksual, etj.). Prandaj, futja e organeve si Këshillat Rinorë Lokalë (KRL), si dhe i Kuvendeve (kombëtare dhe lokale – shih më lartë) në ligj do të kontribuojë në lehtësimin e përfshirjes së të rinjve në procese të caktuara politike.

Pjesëmarrja sociale

Pjesëmarrja sociale e të rinjve shihet në aktivizimin e proceseve që luftojnë padrejtësinë sociale, varfërinë, përjashtimin social të të rinjve me sfida, proceset arsimore. Jemi dëshmitarë të shumë shembujve të iniciuar nga të rinjtë që janë aktivë në përmirësimin e jetës së qytetarëve nga shtresat e pafavorizuara sociale.

Një shembull i tillë është platforma Ways2Help, e cila është krijuar nga të rinjtë për qytetarët e rrezikuar socialë të të gjitha kategorive. Nëpërmjet kësaj platforme deri më tani janë ndihmuar mbi 200 familje.

Pjesëmarrja ekonomike

Pjesëmarrja ekonomike e të rinjve nënkupton proceset që e trajtojnë papunësinë e të rinjve dhe përmirësimin e standardit jetësor të të rinjve. Këtu bëjnë pjesë edhe të rinjtë që nuk janë të përfshirë në arsim, punë ose trajnim (NEET).

Si shembull të pjesëmarrjes ekonomike mund ta veçojmë Inicijativën e Go Green për krijimin e një grupi punues ndërmjet Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale, organizatave joqeveritare dhe organizatave rinore, si dhe sektorit të biznesit, për uljen e papunësisë tek të rinjtë duke investuar në kualifikimin shtesë të të rinjve për vende të gjelbra pune (2018).

Këto procese zhvillohen horizontalisht, ose më saktësisht, më shpesh nivelet mund të ndërthuren dhe të rinjtë mund të marrin pjesë në to në forma të ndryshme.