Në Evropë, më shumë se gjysma e mbi 300.000 vdekjeve të parakohshme janë për shkak të ndotjes së ajrit. Në Maqedoninë e Veriut, 2.574 qytetarë vdesin para kohe çdo vit për shkak të komplikimeve të shkaktuara nga ajri i ndotur, ndërsa dëmet që i pëson shteti për shkak të mungesës në punë dhe trajtimit të personave nga sëmundjet e shkaktuara nga ajri i ndotur, llogariten në dhjetëra milionë euro në vit.
Megjithatë, është thelbësore të dihet se nuk ekziston diçka e tillë si “niveli i sigurt i ndotjes”. Vlerat kufitare përfaqësojnë shkallën e ndotjes që shkakton më pak pasoja për shëndetin e njeriut dhe mjedisin jetësor, por megjithatë shkakton pasoja. Kohët e fundit është kuptuar se edhe një përqendrim më i ulët i ndotjes shkakton më shumë dëme sesa që ishte vlerësuar. Prandaj, rekomandimet janë në drejtim të uljes së kufijve të nivelit “të lejuar” të ndotjes.
Cilësia e ajrit është e lidhur ngushtë me klimën dhe eko-sistemet e Tokës në shkallë globale. Shumë nga shkaktarët e ndotjes së ajrit (d.t.th. djegia e lëndëve djegëse fosile) janë gjithashtu burime të emetimeve të gazrave serrë. Prandaj, politikat për reduktimin e ndotjes së ajrit dhe politikat për klimën dhe shëndetin janë komplementare (plotësuese), e zvogëlojnë barrën e sëmundjeve që i atribuohen ndotjes së ajrit dhe kontribuojnë në zbutjen afatshkurtër dhe afatgjatë të pasojave të krizës klimatike.