Neutraliteti klimatik në qytetet e së ardhmes

Neutraliteti klimatik nënkupton arritjen e emetimeve neto-zero të gazeve serrë, gjegjësisht emetimet e shkaktuara nga njeriu të jenë të barabarta me (ose më të ulëta se) emetimet që eliminohen përmes absorbimit natyror të Tokës. Në thelb, i reduktojmë emetimet tona përmes veprimit klimatik duke emetuar më pak dhe duke absorbuar më shumë.

Oqeanet dhe toka janë absorbues natyralë të dyoksidit të karbonit, ndërsa pyjet janë më të efektshmet. Për shembull, pyjet në BE për çdo vit absorbojnë ekuivalentin e pothuajse 10% të gazeve serrë të prodhuara në Bashkimin Evropian. Rrjedhimisht, të gjitha aktivitetet që e garantojnë ruajtjen, rigjallërimin dhe përmirësimin e oqeaneve, tokave dhe pyjeve janë thelbësore në luftën për të reduktuar emetimet dhe për të arritur neutralitetin klimatik.

Për më tepër, nëse themi se industrializimi, gjegjësisht prodhimi dhe konsumi, janë një nga shkaqet kryesore të krizës klimatike, a ka mënyrë që të mos heqim dorë nga përfitimet që na i sjell përparimi i shkencës dhe teknologjisë, e megjithatë kjo mënyrë e jetës të jetë në harmoni me natyrën?