Ndarja e mbeturinave

Mbeturinat i ndajmë sipas disa kategorive, nga të cilat më të rëndësishmet për fillim janë:

1. Vetitë

Mbeturinat mund të jenë të rrezikshme ose jo të rrezikshme.

•        Me mbeturina të rrezikshme nënkuptojmë çdo mbeturinë që përmban substanca që kanë veti të tilla si: shpërthyeshmëri, reaktivitet (oksidantë), ndezshmëri, irritueshmëri, toksicitet ose në kontakt me ujin, ajrin ose ndonjë acid lëshojnë gazra helmues. Mbeturinat e rrezikshme i përfshijnë edhe mbeturinat jo të rrezikshme të cilat disi janë të përziera me mbeturinat e rrezikshme. Si prodhues më të mëdhenj të mbeturinave të rrezikshme konsiderohen industritë e prodhimit të metaleve dhe produkteve metalike, kimikateve, gomave dhe produkteve plastike.

•        Mbeturina jo të rrezikshme janë të gjitha ato sende që nuk i kanë vetitë e përmendura më sipër.

2. Gjendja agregate

a) Mbeturinat e ngurta, siç janë metali, qelqi, plastika, letra, druri, tekstili etj. Për këtë lloj mbeturinash, procedura e grumbullimit të tyre është shumë më e thjeshtë, zgjidhjet teknologjike për riciklimin e tyre janë në një nivel më të lartë krahasuar me llojet e tjera të mbeturinave dhe ka një shkallë shumë më të ulët të ndikimit të dëmshëm mbi mjedisin jetësor.

b) Mbeturinat e lëngëta krijohen nga tretja e disa substancave në ujë ose lëngje të tjera (acide ose baza) dhe e përfshin vajin dhe derivatet e tij. Te ky lloj mbeturinash, procedura e ndarjes dhe ruajtjes së tyre deri në trajtimin e tyre është më komplekse dhe më e shtrenjtë, ndërsa shpërndarja e tyre në mjedisin jetësor është shumë e shpejtë dhe e lehtë.

c) Mbeturinat e gazta i përfshijnë avujt e acideve dhe bazave, gazrat me përbërje të ndryshme kimike që zakonisht përmbajnë sasi të caktuara grimcash të ndryshme të ngurta (pluhur). Krijohen gjatë transportit, e më pak në industri. Mbeturinat e gazta janë më të vështirat për t’u ndarë, ruajtur dhe trajtuar, shpenzimet janë më të larta, kërkojnë investime më të mëdha financiare, përhapen shpejt dhe lehtë dhe kanë pasoja veçanërisht të dëmshme për mjedisin jetësor dhe shëndetin e njerëzve.