Multimodaliteti dhe intermodaliteti

Edhe më shumë qëndrueshmëri kemi përmes multimodalitetit dhe intermodalitetit. Nëpërmjet multimodalitetit dhe intermodalitetit, mund të lëvizin shpejt dhe në mënyrë efektive një numër shumë i madh i banorëve, e me këtë rast gjurma e tyre e karbonit të jetë minimale.

Multimodaliteti është kur kemi më shumë mundësi për të lëvizur nëpër qytet, kushte të mira për më shumë mjete transporti, e jo vetëm për automobilat. Sipas kësaj, ky sistem është e kundërta e sistemit autocentrik, ku automobili është “mbreti” i transportit, kurse për mjetet e tjera të transportit kushtet janë të këqija dhe njerëzit nuk i përdorin.

Shembull: Një student në Shkup ka trotuare të lira për të ecur deri në treg, ka një rrjet të mirë shtigjesh për biçikleta përmes të cilit mund të shkojë ku të dojë me biçikletë, ka transport publik të besueshëm me të cilin nuk do të vonohet në punë dhe me të gjitha këto mundësi ai nuk varet fare nga automobili. 

Intermodaliteti është niveli i radhës i multimodalitetit. Jo vetëm që kemi opsione, por ato mund të kombinohen lehtësisht. 

Shembull: Një student ecën nga shtëpia deri në stacionin hekurudhor në Veles, pastaj merr një tren për në Shkup, pastaj me autobus shkon nga stacioni i trenit deri në fakultetin e tij dhe anasjelltas kur përfundon me ligjëratat. Por, ky kombinim kërkon shumë kohë. Prandaj, një intermodalitet më i mirë do të ishte nëse ai shkon në stacionin hekurudhor me biçikletë dhe atje ka një vend për ta parkuar atë në mënyrë të sigurt, ndërsa transporti publik është i integruar dhe kalimi nga një lloj në tjetrin është i lehtë dhe i shpejtë. Edhe më efikase do të ishte, për shembull, nëse i njëjti student mund të ngasë biçikletën nga shtëpia deri në stacionin hekurudhor në Veles, pastaj të fusë biçikletën e tij në tren dhe të vazhdojë të lëvizë me të nëpër Shkup. Ose sapo të mbërrijë në stacionin në Shkup, të ketë mundësi të marrë me qira një biçikletë.

Një shembull të intermodalitetit kemi në Kroaci, ku një shoqatë e atjeshme arriti të sigurojë transport falas të biçikletave në trena.