Ekzistojnë dy lloje të mohuesve të ndryshimeve klimatike (climate deniers)
1. Të parët thonë se rritja e temperaturave të Tokës dhe ndryshimet e kushteve të motit nuk janë asgjë e re, se këto variacione kanë ekzistuar që kur ka ekzistuar Toka.
2. E të tjerët thonë se kjo po ndodh, por se nuk është asgjë e tmerrshme sepse teknologjia është aq e zhvilluar sa që me siguri do të përballojë sfidën.
Por, shkenca nuk thotë kështu. Ndoshta ndryshimet e temperaturës dhe kushteve të motit janë cikle natyrore, por që nga revolucioni industrial (në shekullin e 18-të) e deri më sot, aktivitetet njerëzore shkaktojnë emetime të mëdha të gazeve serrë që i përshpejtojnë këto cikle natyrore, sepse planeti nuk ka një kapacitet të tillë apo kohë për t’i neutralizuar, gjegjësisht për t’i absorbuar këto gaze serrë. Vlerësohet se ndërmjet viteve 1750 dhe 2011, përqendrimet atmosferike të dyoksidit të karbonit u rritën për 40%, metani për 150%, dhe oksidi i azotit për 20%. Ndërsa, në fund të viteve të 1920-ta, filluam të krijonim gazra artificiale të fluorizuara, siç janë klorofluorokarburet.
