Nga dokumentet më domethënëse në RMV që e shtjellojnë fushën e menaxhimit
të mbeturinave është Plani Kombëtar për Menaxhimin e Mbeturinave 2020-2030. Qëllimi i Planit Kombëtar është funksionimi i sistemit për menaxhimin e mbeturinave në vend, me qëllim që të zhvillohet një menaxhim i integruar i mbeturinave në përputhje me hierarkinë e mbeturinave dhe legjislacionin e Bashkimit Evropian, për të arritur përpunimin dhe asgjësimin e tyre të sigurt për mjedisin jetësor.
Një dokument i rëndësishëm në fushën e menaxhimit të mbeturinave është Plani Rajonal për Menaxhimin e Mbeturinave, i cili është një akt kyç për rregullimin e politikës së menaxhimit të mbeturinave në nivel rajonal. Qendrat për zhvillimin e rajoneve planifikuese (tetë qendra) duhet të formojnë njësi organizative për menaxhimin rajonal të mbeturinave, gjegjësisht të hapen deponi rajonale. Deri në vitin 2030, në vend duhet të funksionojnë gjashtë deponi rajonale, ndërsa ato ilegalet duhet të mbyllen urgjentisht dhe të rivitalizohen.
Në vitin 2011, Kuvendi e miratoi paketën e re të ligjeve për mbeturinat, të cilat përcaktojnë se përgjegjësia për të gjithë ciklin e mbeturinave, nga prodhimi deri te riciklimi i takon prodhuesit, ndërsa qytetarët do të jenë përgjegjës për ndarjen e mbeturinave, kurse komunat së bashku me operatorët kolektivë do të kenë detyrime të qarta për t’i ofruar të gjitha kushtet e nevojshme për ndarjen e mbeturinave për të gjithë qytetarët. Me këtë paketë të ligjeve, vazhdon harmonizimi i legjislacionit të Maqedonisë me atë të Bashkimit Evropian.
Këtu do të shpjegonim se çfarë janë operatorët kolektivë. “Operator kolektiv” është një person juridik i krijuar nga prodhuesit për të organizuar grumbullimin e mbeturinave nga prodhuesit. Për shembull, PAKOMAK është një operator kolektiv për mbeturinat e paketimit (letër, plastikë, qelq dhe kanaçe) dhe është themeluar nga 11 kompani që janë “fajtore” për këto mbeturina: Birraria Shkup SH.A. Shkup; Birraria Prilep SH.A. Prilep; Vitaminka SH.A. Prilep; Pelisterka Sh.P.K. Shkup; Magroni Sh.P.K. Shkup (“Ladna voda”, “Dobra Voda”); Koding Sh.P.K.. Kavadar (“Gorska voda”); Kozhuvçanka Sh.P.K. Kavadar; Vivaks Sh.P.K. Shkup; Bllagoj Gjorev SH.A. Veles; VV Tikvesh SH.A.; VV Stobi Sh.A.
Pakomak bën edukim, e forcon infrastrukturën për ndarjen e këtyre mbeturinave (vendos kontejnerë), ofron shërbime për restorante, kafene, kompani për ndarjen e këtyre mbeturinave, angazhon kompani që i marrin mbeturinat e ambalazhimit nga kontejnerët (Pakomak nuk i mbledh mbeturinat e ndara!) dhe mban evidencë se sa mbeturina nga ambalazhi janë grumbulluar, gjegjësisht nuk kanë përfunduar në deponi.
Legjislacioni evropian me të cilin Maqedonia duhet të harmonizohet përbëhet nga disa direktiva që mbulojnë trajtimin, ruajtjen, transportin dhe deponimin e mbeturinave. Menaxhimi i mbeturinave të rrezikshme dhe parandalimi i pasojave të dëmshme që ato mund t’i shkaktojnë për shëndetin e njeriut dhe mjedisin jetësor është temë e disa konventave, si për shembull Konventa e Bazelit, Roterdamit dhe Kopenhagës. Ato përfaqësojnë marrëveshje shumëpalëshe, qëllimi i përbashkët i të cilave është mbrojtja e shëndetit të njerëzve dhe mjedisit jetësor nga kimikatet e rrezikshme dhe mbeturinat e rrezikshme.
Është e pashmangshme të përmendet edhe Perspektiva Globale për Menaxhimin e Mbeturinave (2015) e Kombeve të Bashkuara, e cila, ndonëse nuk është një akt detyrues, megjithatë ofron një vlerësim gjithëpërfshirës të situatës aktuale të mbeturinave, i identifikon problemet dhe ofron përafrimin e politikave për të arritur zgjidhje afatgjate dhe të qëndrueshme.