Koncepti “Zero mbeturina” dhe trajtimi i zgjuar i mbeturinave

Komunat dhe qytetet gjenerojnë sasi të mëdha mbeturinash. Menaxhimi i mbeturinave është një nga aktivitetet kryesore komunale.

Për të thënë se një komunitet i menaxhon mbeturinat në mënyrë të zgjuar — kjo do të thotë në mënyrë të pashmangshme përdorimin e teknologjisë, por edhe përkushtimin maksimal ndaj konceptit të “zero mbeturinave” duke iu përmbajtur vazhdimisht hierarkisë/parimeve për trajtimin e mbeturinave.

Menaxhimi i mbeturinave me zgjuarsi dhe përgjegjësi nënkupton përdorimin e teknologjisë për të parandaluar krijimin e tyre dhe ato mbeturina që do të krijohen në mënyrë të pashmangshme të trajtohen si burim. Vendi ka funksionuar gjithmonë në bazë të parimit të mbeturinave zero.

Koncepti i mbeturinave zero nënkupton ruajtjen e të gjitha burimeve nëpërmjet prodhimit, konsumit, ripërdorimit dhe ripërtëritjes së përgjegjshme të produkteve, ambalazheve dhe materialeve pa djegie dhe pa derdhje në tokë, ujë ose ajër që e rrezikon mjedisin jetësor ose shëndetin e njeriut.

Por, sistemet aktuale të mbeturinave janë të dizajnuara në atë mënyrë që mbeturinat të “zhduken”, duke i dërguar në vende të tjera, duke i groposur apo djegur. E nëse nuk e dimë se cili është problemi, nuk do të jemi në gjendje ta gjejmë zgjidhjen. Ky iluzion i hedhjes së një gjëje “larg syve” e bën problemin të padukshëm.

Ta përsërisim, Çdo mbeturinë që krijohet do të përfundojë diku. Fakti që qytetarët do t’i heqin qafe mbeturinat e tyre dhe nuk do t’i shohin, nuk do të thotë se ato janë zhdukur në mënyrë magjike, përkundrazi, çdo mbeturinë që nuk e trajtojmë siç duhet do të ketë një efekt të dëmshëm në mjedisin jetësor, gjegjësisht në tokë, ujë dhe ajër.

Programet e mbeturinave zero studiojnë se çfarë mbetet në koshin e mbeturinave pasi është kryer ndarja efektive, në mënyrë që të shqyrtohen dhe të identifikohen zgjidhjet e mundshme që do të parandalojnë që këto mbeturina të vazhdojnë të jenë problem në të ardhmen. Sa shpesh shikon në koshin tënd?

Prandaj, zero mbeturinat nuk është vetëm një qëllim përfundimtar, por një grup parimesh dhe një filozofi e të jetuarit. Këtu, shikoni videon e një vajze, gruaje dhe nëne që jetojnë sipas konceptit të mbeturinave zero.

Siç u tha më lart, ky koncept është në thelb e kundërta e konceptit të depozitimit dhe djegies së mbeturinave. Të jesh pjesë e lëvizjes “zero mbeturina” do të thotë t’i riformulosh tërësisht shprehitë konsumatore dhe të refuzosh me vetëdije blerjen dhe përdorimin e artikujve për një përdorim, artikujve që përmbajnë kimikate të dëmshme për shëndetin tonë, shëndetin e kafshëve dhe mjedisin jetësor, si dhe të artikujve që janë prodhuar duke i eksploatuar punëtorët.

A e keni menduar ndonjëherë nëse të gjitha mbeturinat që i prodhojmë janë me të vërtetë “të padobishme dhe të pavlera”? A mund të përdoret kanaçeja e lëngut që e keni pirë të shfrytëzohet edhe ndonjë mënyrë tjetër? A duhet me të vërtetë ta hidhni karrigen e vjetër apo mund ta përdorni për ndonjë aktivitet kreativ interesant dhe të krijoni vetë një mobilje unike?

Ndryshimi i shprehive personale është i rëndësishëm sepse nxit ndryshime shoqërore. Nëse ne si individë jemi të vetëdijshëm në një sferë të caktuar, këtë nivel të ndërgjegjësimit do ta kërkojmë edhe nga autoritetet që marrin vendime.