Hierarkia e trajtimit të mbeturinave fillon me një hap plotësisht logjik – parandalimin ose pengimin e gjenerimit të mbeturinave.

Reduktimi i mbeturinave të prodhuara nënkupton reduktimin e prodhimit të materialeve të reja nga lëndët e para, blerjen e materialeve me sasinë më të vogël të ambalazhit, shmangien e artikujve dhe materialeve për një përdorim, etj.
Midis Reduktimit dhe Ripërdorimit, ekziston edhe një hap tjerë, e ai është NDARJA. Ka dy mënyra për të ndarë mbeturinat ose lëndët e para dytësore, edhe atë:
• Ndarja primare – ndarja e mbeturinave pikërisht në vendin ku krijohen (për shembull në shtëpinë tuaj, ose ndarja e mbeturinave në restorant, etj.)
• Ndarja dytësore – ndarja e komponenteve të dëshiruara nga mbeturinat diku tjetër me procese të tjera (për shembull, në një qendër riciklimi, ndahet plastika dhe letra, ose në deponi, ndahen lëndët e para që mund të riciklohen, etj.)
Ky hap i hierarkisë së trajtimit të mbeturinave nënkupton edhe uljen e shpenzimeve. Nëse e marrim si shembull hotelerinë – prokurimi i lëndëve të para të caktuara në ambalazhe qelqi mund të shërbejë për të siguruar ambalazh ekologjik në të cilin do të paketohen produktet që i shet vetë objekti i hotelerisë, si sallatat, supat, etj. Aq më mirë, me rritjen e ndërgjegjësimit, nuk është më aq e vështirë që edhe vetë konsumatorët të përfshihen në proces – një herë të blejnë filxhan ose kavanoz në të cilin do ta pinë një herë kafen e tyre të mëngjesit ose smuthin e tyre dhe ta marrin me vete për “ta mbushure” në kafenenë e preferuar të lagjes së tyre. Kur flasim për ripërdorimin, nuk duhet të harrojmë opsionin e ripërdorimit kreativ të rrobave të vjetra, mobiljeve të vjetra ose – edhe më mirë – t’ia dhurojmë ato dikujt që ka vërtet nevojë për to, e që është në një pozitë të palakmueshme financiare.
Riciklimi përfshin përpunimin industrial të materialeve dhe shndërrimin e tyre në sende të reja. Duke qenë se ky është një proces që kërkon energji dhe burime shtesë, nuk konsiderohet si një nga zgjedhjet e para për menaxhimin e mbeturinave. Por, sidomos për xhamin dhe letrën, kjo është një hallkë e rëndësishme në zinxhirin që mundëson që këto materiale “mbeturinash” të mos përfundojnë në deponi, por të marrin një zgjatje të jetës së tyre, dhe kështu të parandalojnë shfrytëzimin e lëndëve të para të nevojshme për t’i prodhuar këto produkte nga e para. Qelqi është një material natyror, i prodhuar nga rëra dhe guri gëlqeror i disponueshëm, kështu që është një nga materialet më të lira dhe më efikase për t’u ricikluar.
Është më e lirë të bësh produkte nga qelqi i ricikluar sesa të prodhosh qelq nga e para. Për dallim nga plastika, shishet dhe kavanozat e qelqit janë plotësisht të riciklueshme dhe mund të riciklohen pafundësisht pa e cenuar cilësinë ose pastërtinë e tyre. |
Për krahasim, në shumë raste, riciklimi i plastikës është më i kushtueshëm dhe gjatë procesit harxhohet më shumë energji sesa krijimi i plastikës së re nga lëndët e para, gjë që kontribuon për shkallën e ulët të riciklimit. Megjithatë, riciklimi i letrës, qelqit dhe aluminit ka dëshmuar se programet e riciklimit mund të jenë të suksesshme.
Ky proces konsiderohet si pjesë e procesit të riciklimit, gjegjësisht ajo që nuk mund të riciklohet në një send nga materiali i njëjtë përdoret për prodhimin e energjisë për shembull, gjë që nuk është e ndaluar, por as nuk rekomandohet, veçanërisht në vendet me një mbikëqyrje kaq të dobët inspektuese siç është vendi ynë. Nëse nuk kontrollohet, djegia mund të jetë një burim i fortë i ndotjes së mjedisit jetësor.
Nga ana tjetër, kompostimi i mbeturinave organike, të cilat janë të pranishme në sasi aq të mëdha (përllogaritjet janë se në Maqedoni nga 60 deri në 80% e totalit të mbeturinave komunale janë biombeturina) është mënyrë për të krijuar energji nga “materiali i mbeturinave” pa e rrezikuar me këtë rast mjedisin jetësor. Në Maqedoni, tashmë ekzistojnë dy shembuj të kompostuesve të mbeturinave biologjike (Komuna e Resnjës dhe Komuna e Probishtipit), ndërsa Qyteti i Shkupit është në proces të furnizimit të fabrikës së tij për biokompostim. Biokompostuesit janë njësi të mbyllura, plotësisht të automatizuara për përpunimin e mbeturinave biologjike nga të cilat përftohet komposto. Gjatë procesit, nëse përpunimi i mbeturinave bëhet pa oksigjen (tretje anaerobe), prodhohet biogaz i cili mund të përfshihet për prodhimin e energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme (të kombinohet me sistemet fotovoltaike) dhe në këtë mënyrë edhe të reduktohet prodhimi i energjisë elektrike nga burimet e papastra (qymyri dhe mazuti) dhe për të reduktuar shpenzimet e prodhimit të tij – që ajo të prodhohet nga materialet e mbeturinave, në vend të lëndëve të para të reja, por ndotëse, siç është qymyri dhe mazuti. Ndërmarrja sociale “Mama Organa” është pionier në këtë fushë në Maqedoni.
Kjo është mënyra më e paqëndrueshme e menaxhimit të mbeturinave nga të gjitha dhe nevojiten investime të mëdha si në inovacion ashtu edhe në arsim për ta përjashtuar deponimin nga sistemi i menaxhimit të mbeturinave. Mbeturinat në deponi mund të vazhdojnë të kenë një ndikim të dëmshëm mbi mjedisin jetësor. Për shembull, vlerësohet se një ton mbeturina ushqimore në një deponi prodhon 450 kilogramë dyoksid karboni. Nga deponitë gjithashtu mund të kullojnë kimikate dhe lëngje toksike që mund ta ndotin tokën dhe ujërat nëntokësore.
Sa i përket depozitimit të mbeturinave, në territorin e R. të Maqedonisë së Veriut ka 54 deponi aktive komunale jo standarde (plehërishte) pa asnjë leje. Deponia “Drislla”, e cila i ofron shërbimet e saj në rajonin e Shkupit, është e vetmja deponi në vend që menaxhohet relativisht mirë. Deponitë jo standarde komunale dhe plehërishtat paraqesin rrezik për ndotjen e ajrit, tokës, ujërave sipërfaqësore dhe nëntokësore, si dhe rreziqe të mundshme për diversitetin biologjik, tokën bujqësore dhe shëndetin e njerëzve, si pasojë e asgjësimit të mbeturinave të përziera të rrezikshme dhe jo të rrezikshme.Deponimi dhe djegia e mbeturinave si koncepte janë në kontrast të plotë me konceptin e vetëm të menaxhimit të qëndrueshëm të mbeturinave – konceptin e “mbeturinave zero”. Midis viteve 2006 dhe 2017, është evident një reduktim i ndjeshëm i depozitimit në Slloveni (69%), Lituani (65%), Letoni (64%), Estoni (60%) dhe Finlandë (57%). Zagrebi ka problem me menaxhimin e mbeturinave. Ekspertët e tyre i shqyrtojnë opsionet për t’i “zëvendësuar” deponitë. Aktualisht, në Zagreb ka një deponi që autoritetet aktuale lokale kanë premtuar se do ta mbyllin dhe do të kalojnë në klasifikimin dhe riciklimin e mbeturinave. Përderisa vendet e zhvilluara në mënyrë strategjike e shmangin deponimin, në Maqedoninë e Veriut tani do të fillohet me investime në deponitë rajonale, ndërsa edukimi për hapat e mëparshëm është fatkeqësisht shumë i ulët.
Enti Shtetëror për Revizion: “Sipas Ligjit për Menaxhimin e Mbeturinave, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor dhe kryetarët e komunave janë të obliguar që t’i mbyllin dhe t’i rikultivojnë deponitë ilegale. Janë 54 deponi komunale në vend që i ndotin ujërat nëntokësore, tokën dhe ajrin dhe ato janë ende funksionale”. |