Grimcat PM

Sfida më e madhe është përqendrimi i grimcave PM, sidomos në periudhën e dimrit, sepse me uljen e temperaturës dhe rritjen e aktiviteteve të caktuara rriten edhe këto përqendrime. Shkupi, Tetova dhe Manastiri janë ndër 10 qytetet më të ndotura në Evropë me tendencë për përkeqësim të situatës. Të mos harrojmë se ka pasur situata kur këto qytete kanë qenë të parat në listën e qyteteve më të ndotura në botë. Situata edhe në qytetet e tjera është e ngjashme, por atje fatkeqësisht nuk ka studime gjithëpërfshirëse dhe të detajuara përveç matjeve nga stacionet matëse, megjithëse ka studime indikative që tregojnë se ndotësit më të mëdhenj në ato lugina janë ngrohja, mbeturinat dhe industria.

Në nivel të Evropës përqendrimet e lejuara të ndotjes së ajrit me grimcat PM janë si më poshtë:

– për grimcat PM10 lejohet një përqendrim mesatar ditor prej 50 µg/m3

– për grimcat PM2.5 lejohet një përqendrim mesatar vjetor prej 25 µg/m3

Të dhënat e OBSH-së tregojnë se pothuajse e gjithë popullsia e botës (99%) thith ajër që i tejkalon kufijtë e udhëzimeve të OBSH-së dhe përmban nivele të larta të ndotësve, me ç’rast vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme vuajnë nga ekspozimi më i madh. Hulumtimet e kryera në fund të vitit 2019 nga OBSH-ja dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Mjedisin Jetësor treguan se popullsia e vendeve të Ballkanit është e ekspozuar ndaj përqendrimeve më të larta të ndotjes së ajrit në të gjithë Evropën. Madje deri në pesë herë më shumë se sa ndotja që lejohet në kuadër të Bashkimit Evropian.