Çfarë është demokracia ekologjike?

Është thelbësore që të rinjve t’u ofrohet mundësia për t’i shprehur nevojat e tyre, për t’i shkëmbyer praktikat më të mira për mbrojtjen e mjedisit jetësor dhe për t’i ndarë perspektivat e tyre dhe zgjidhjet e mundshme. Përfshirja e të rinjve nuk është e nevojshme vetëm për realizimin e demokracisë ekologjike, por, më e rëndësishmja, për rritjen dhe zhvillimin ekonomik të çdo vendi. Nëpërmjet organizimit të protestave, ngjarjeve, prezantimeve dhe punëtorive që mundësojnë pjesëmarrjen e të rinjve inkurajohen lidhjet me palët e tjera të interesuara në mbrojtjen e mjedisit jetësor. Roli i këshillave rinore në realizimin e demokracisë ekologjike është vendimtar. Me ndihmën e Konventës së Arhus-it, mund të prezantohen forma të ndryshme të pjesëmarrjes publike online për t’u konsultuar me të rinjtë në marrjen e vendimeve të rëndësishme për mjedisin jetësor, si dhe botimi i buletineve për t’i informuar të rinjtë për mundësitë që i kanë në dispozicion.

Demokracia ekologjike bazohet në idenë se vendimet për tokën dhe për burimet natyrore merren në mënyrë adekuate dhe të drejtë duke u bazuar në interesat e qytetarëve. Demokracia ekologjike vendos standarde për mënyrën se si duhet të merren vendimet. Në thelbin e saj, demokracia ekologjike përfshin tre të drejta që përforcohen në mënyrë reciproke, të cilat, megjithëse të pavarura, funksionojnë më mirë në kombinim: 

•  e drejta e qytetarëve për të pasur qasje të lirë në informata për cilësinë dhe problemet në mjedisin jetësor,

•   e drejta e qytetarëve për të marrë pjesë në vendimmarrje dhe

•  e drejta e qytetarëve për të kërkuar zbatimin e ligjeve ekologjike ose kompensimin e dëmit.

Shumë shpesh, publiku nuk përfshihet në proceset vendimmarrëse që mund të ndikojnë në shëndetin publik, ekzistencën dhe kulturën. Këto tre komponente kryesore – qasja në informata, pjesëmarrja dhe drejtësia – njihen gjithashtu si “të drejta për qasje” dhe pasqyrohen në Parimin 10 të Deklaratës së Rios për Mjedisin Jetësor dhe Zhvillimin. Ato janë zemra e demokracisë ekologjike, duke i mishëruar dimensionet procedurale të së drejtës për një mjedis të shëndetshëm jetësor. (shiko videon).Konventa e Arhusit e rregullon fushën e qasjes në informata, pjesëmarrjen e publikut në vendimmarrje dhe qasjen në drejtësi për çështjet nga fusha e mjedisit jetësor (shiko videon)

­­­Forcimi i rolit në mjedisin jetësor është një aktivitet kyç që e kryejnë qendrat e Arhusit në shtetet. Kjo përfshin zhvillimin e sesioneve informative dhe aktiviteteve që lidhen me parimet kryesore të Konventës së Arhus-it, me përfshirje të nxënësve të shkollave dhe mësimdhënësve të rinj, anëtarëve të komunitetit, përfaqësuesve të organizatave joqeveritare dhe punonjësve të agjencive qeveritare. Konventa i referohet mekanizmave të konsultimit e deri tek politikat për çështjet që lidhen me mjedisin jetësor. Mekanizmat për konsultimin me të rinjtë për politikat që ndikojnë drejtpërdrejt në situatën e të rinjve duhet të zbatohen në përputhje me Konventën. Këtu mund të gjeni një doracak për të rinjtë me shpjegime për përdorimin e Konventës së Arhusit për mbrojtjen e mjedisit jetësor përmes shembujve nga secila prej shtyllave.