ÇFARË ËSHTË AKTIVIZMI ONLINE?

Aktivizmi online është angazhimi i njerëzve në komunitet për t’u organizuar për ndryshime sociale përmes mjeteve digjitale.

Aktivizmi online e ka ndryshuar në mënyrë drastike mënyrën e shprehjes së pakënaqësisë dhe kritikave ndaj çështjeve sociale dhe politike gjatë dy dekadave të fundit. Telefonat e zgjuar, interneti dhe disponueshmëria e një sërë mjetesh dhe shërbimesh të tjera kanë mundësuar organizimin e një numri të madh lëvizjesh të ndryshme, të cilat kanë mobilizuar një numër të madh të qytetarëve për të arritur një ndikim konkret ose për të shkaktuar ndryshime. Në internet për çdo ditë shfaqen forma të reja të ndryshme të aktivizmit që i anashkalojnë kanalet tradicionale të lëvizjeve politike dhe sociale. Ato e përdorin kryesisht teknologjinë dhe rrjetet sociale për të ofruar pikëpamje alternative të organizimit dhe bashkimit.

Transformimi i lëvizjes “Fridays for the Future” (FFF) gjatë kohës së KOVID-19

Kur filloi KOVID-19, lëvizja “Fridays for the Future” ishte në kulmin e saj. Lëvizja u rrit në një ushtri prej miliona aktivistësh të rinj për klimën nga e gjithë bota, të bashkuar nga një arsye e thjeshtë: për të inkurajuar politikanët dhe hartuesit e politikave që ta marrin seriozisht krizën klimatike. Edhe pse situata delikate në muajt e parë të vitit 2020 nuk lejoi marshime në shkallë të gjerë, kjo nuk e pengoi lëvizjen që ta shprehte zemërimin e saj dhe të kërkonte veprime të menjëhershme. Aktivistët e rinj për klimën në mbarë botën kishin ende shumë për të thënë dhe nuk ishin të gatshëm të heshtin, kështu që e transferuan grevën në internet. Duke i përdorur mediat sociale – aleati më i fuqishëm i gjeneratës Z – dhe hashtaget si #DigitalStrike dhe #ClimateStrikeOnline, aktivistët e FFF ishin në gjendje ta zgjeronin rrjetin e tyre dhe të arrinin te më shumë njerëz, duke e bërë luftën kundër klimës më gjithëpërfshirëse në nivel global. Ndër strategjitë që i përdorën ishin peticionet në internet, transmetimet e drejtpërdrejta në “YouTube” për të prezantuar idetë për të luftuar ngrohjen globale dhe uebinaret për t’i edukuar njerëzit rreth temave ekologjike. Ata gjithashtu  i shfrytëzuan mediat sociale si “Instagram” dhe “TikTok” dhe e filluan “Buletinin e së Ardhmes” për të shpërndarë informacione mbi temat e nxehta dhe për të vazhduar bisedën. Për të mbledhur së bashku aktivistë të rinj të klimës nga e gjithë bota dhe për t’u dhënë atyre një shans për të diskutuar dhe planifikuar iniciativat e ardhshme, ata gjithashtu shpesh përdorin takime publike virtuale. Me këtë lëvizje, të rinjtë treguan se janë shtytësi më i madh për mbrojtjen e mjedisit jetësor, por ajo që është më e rëndësishmja, arritën t’i mobilizojnë të rinjtë nga të gjitha kategoritë anembanë botës.